Rendi Vertikal i Interesit Kombëtar

Koncepti i Rendit Vertikal të Interesit Kombëtar bazohet në idenë se interesat themelore të një kombi nuk janë të rrafshuara në të njëjtin nivel, por organizohen në një strukturë hierarkike përgjegjësie.

Për ta thjeshtëzuar e qartësuar këtë ide, metafora e “shtatë palë qiejve” përdoret si një figurë letrare ilustruese.

Çdo nivel mbështetet mbi tjetrin dhe cenimi i një niveli më të ulët, prodhon pasoja të drejtpërdrejta mbi të gjitha nivelet që ndërtohen mbi të.

Në këtë kuptim, Interesi Kombëtar nuk është një nocion i përgjithshëm apo retorik, por një strukturë funksionale e përbërë nga shtatë nivele përgjegjësie.

Struktura e Rendit Vertikal:


Qielli i Parë — Ekzistenca

Territori, popullsia dhe siguria fizike që garantojnë vazhdimësinë reale të jetës kolektive.


Qielli i Dytë — Sovraniteti

Aftësia e shtetit për të marrë vendime të pavarura dhe për të ushtruar autoritet mbi territorin dhe politikat e veta.


Qielli i Tretë — Pasuria Strategjike

Kontrolli mbi burimet jetike që garantojnë qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit: tokë, energji, ujë, infrastrukturë dhe pozicion gjeografik.


Qielli i Katërt — Rendi i Brendshëm

Kohezioni institucional dhe besimi shoqëror që mbajnë funksionimin e drejtë dhe të parashikueshëm të shtetit.


Qielli i Pestë — Identiteti

Gjuha, kujtesa historike dhe simbolika që lidh brezat dhe i japin kuptim ekzistencës kolektive.


Qielli i Gjashtë — Orientimi Strategjik

Koherenca afatgjatë e zgjedhjeve politike dhe drejtimi i zhvillimit të kombit në kohë.


Qielli i Shtatë — Norma Themelore e Interesit Kombëtar

Kriteri përfundimtar që lejon gjykimin e çdo vendimi në raport me tërësinë e strukturës së interesit kombëtar.


Funksioni i modelit:

Rendi Vertikal nuk është doktrinë morale dhe as program politik.

Ai është instrument analitik që lejon të kuptohet në cilin nivel vepron një vendim politik dhe cilat pasoja prodhon ai në nivelet e tjera.

Gjithashtu nëse një vendim është i korrigjueshëm apo fatal për strukturën e interesit kombëtar.